FIFA ngre zërin kundër diskriminimit, Infantino: Humbje për klubet me tifozë racistë, si dhe kallëzime penale

Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, komentoi me një deklaratë shumë të ashpër atë që ndodhi gjatë ndeshjes Udineze-Millan (dhe jo vetëm) me aktet e racizmit ndaj portierit Majk Menja.

“Ngjarjet e së shtunës në Udine dhe Shefilld janë absolutisht të neveritshme dhe krejtësisht të papranueshme. Nuk ka vend për racizëm apo forma të tjera diskriminimi, në futboll apo në shoqëri. Lojtarët e prekur nga ajo që ndodhi të shtunën kanë mbështetjen time të plotë.

Është e nevojshme që të gjithë të interesuarit të veprojnë, duke filluar nga edukimi në shkolla, në mënyrë që brezat e ardhshëm të kuptojnë se kjo nuk është pjesë e futbollit dhe as e shoqërisë.

Krahas procedurës trefazore (pezullimi i ndeshjes, ndërprerja e dytë e ndeshjes, anulimi i ndeshjes), duhet të vendoset një penalizim për skuadrat, tifozët e të cilëve kanë qenë protagonistë të akteve të natyrës raciste – duke shkaktuar kështu anulimin e ndeshjes – , ashtu siç duhet të zbatohen ndalimet e hyrjes në stadiumet në mbarë botën dhe të ngrihen kallëzime penale kundër atyre që kryejnë akte raciste.

FIFA dhe bota e futbollit tregojnë solidaritet të plotë me viktimat e racizmit dhe çdo forme tjetër diskriminimi. Një herë e përgjithmonë: jo racizmit! Jo çdo forme diskriminimi!”

About the author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *