Odise Roshi duket se po kthehet përsëri në formën e tij më të mirë, duke treguar se ai dëmtim që e la jashtë fushës për një periudhë të gjatë, i përket të kaluarës.
Mesfushori kuqezi ka lënë përsëri shenjë sot në kategorinë e dytë turke me fanellën e Sakariaspor, duke shënuar golin e tretë të sezonit.
Mesfushori ofensiv vlonjat ishte titullar si zakonisht me skuadrën e tij në transfertën ndaj Gençlerbirligi dhe në minutën e 56-të të sfidës, ishte pikërisht ai i cili finalizoi një kundërsulm për të tundur rrjetën dhe për t’i dhënë avantazhin e përkohshëm 1-0 skuadrës së tij .
Ky ishte goli i tretë në 18 ndeshje të luajtura për Roshin, i cili ka dhënë edhe dy asiste, duke ndihmuar skuadrën e tij që për momentin të jetë në zonën e play-off për ngjitjen në Superligën turke.