Sulmuesi me origjinë nga Puka, Kristian Shpendi ishte protagonisti absolut i ndeshjes që Çezena fitoi me shifrat 4-0 ndaj Pontederës, pasi sulmuesi shqiptar shënoi 3 gola në këtë sfidë në 7 minuta. Djaloshi është shfaqur me topin e firmosur nga shokët e skuadrës në sallën e konferencave pas sfidës, duke shprehur entuziazmin e tij për tregolëshin e parë si profesionist. Po ashtu, edhe për faktin që me golat e të shtunës, kishte arritur kuotën 13, 1 më shumë se rekordi që kishte vendosur binjaku i tij, Stiven, në sezonin e kaluar.
Një kënaqësi më shumë për djaloshin i cili në javët e kaluara ishte përmendur për incidentin ku babai i tij goditi me grusht portierin kundërshtar, arsye pse edhe ultrasit e Çezenës ishin dënuar që të qëndronin jashtë stadiumit.
“I vogël më ka ndodhur që të shënoj më shumë se tre gola, por kjo është hera e parë mes profesionistëve dhe ta bëj në Çezena, në stadiumin tonë, është e mrekullueshme.
Mungonin tifozët? Po, por ishin jashtë dhe dëgjoheshin. Janë gjithmonë pranë nesh. Në fund kemi shkuar të festonim jashtë me ta, këndova edhe unë.
Kisha edhe ndonjë mundësi tjetër për shënim, por le të themi se shkoi mirë edhe kështu. Cili gol më pëlqeu më shumë? Ai me kokë, pasi nuk jam një goditës i mirë me kokë dhe me trajnerin kam ushtruar shpesh këtë vit për këto lloj gjuajtjesh.
Kalova rekordin e 12 golave të Stiven? Sinqerisht, unë mundohem që të transformoj në gol sa më shumë raste që të jetë e mundur. Por pastaj po, më pëlqen që kalova Stiven (qesh). Golashënuesi më i mirë i kampionatit? Do të ishte shumë e bukur. Këto gola ia dedikoj babait dhe gjithë familjes time”, ishin fjalët e sulmuesit shqiptar.