Klubet në Arabinë Saudite po bëjnë shpenzime të çmendura, duke mos u shqetësuar për humbjet dhe shumë prej tyre kanë tejkaluar atë që mund të shpenzojnë normalisht edhe disa nga emrat më të mëdhenj në futbollin europian. Një prej tyre, Al Hilal, tashmë e sheh veten në vendin e dytë në botë sa i përket shpenzimeve që ka bërë në sezonin aktual.
Klubi i cili në verë bleu emra si Nejmar, Neves, Bono dhe Malkom, vendosi në janar të shpenzojë 23 milionë euro të tjera për Renan Lodin. Kështu, ai çoi bilancin e shpenzimeve për blerjet në këtë sezon në 376 milionë euro.
Vetëm një klub në botë i kalon për shpenzimet deri tani dhe ai është Çelsi, që ka shpenzuar 467 milionë euro. Shpenzimet e Al Hilal kalojnë edhe rekordet që kanë regjistruar në një sezon të vetëm klube si Real Madrid dhe Barcelona. Reali kishte një rekord të vendosur me shifrën 355 milionë euro në një sezon, ndërsa Barcelona 375 milionë euro.
Por ndryshe nga klubet e sipërpërmendura që paralelisht edhe shitnin lojtarë për të rregulluar disi bilancet, sauditet nuk shqetësohen për gjëra të tilla. Kjo, pasi Al Hilal ka shitur lojtarë në këtë sezon për vlerën 1,3 milionë euro dhe askush nuk u kërkon llogari për qindra milionat e eurove humbje që regjistrojnë në fund të sezonit.