Erzeni nuk ia doli të merrte pikë teksa u mposht nga Vllaznia minimalisht me një gol në fund të takimit. Shijakasit mbetën në kuotën e 22 pikëve në vendin e 8-të të zonës Play-Out. Trajneri Alfred Deliallisi dha prononcimin e tij për MCN TV pas ndeshjes.
“Realisht mënyra sesi e nisëm lojën nuk ishte e mirë pasi gabuam shumë. Lojtari po na rrezikonte prej gabimeve tona. Loja mori një tjetër rrjedhë. Pastaj në pjesën e dytë gjithçka foli për ne. Kishim më shumë raste se Vllaznia, përveç rastit të golit. Mënyra sesi goditesh, pasi është një gabim që ndodh.
Por në momentin që humbasim, humbasim të gjithë. Optimizmi i lojtarëve? Normalisht në këtë moment është e rëndësishme të marrësh pikët. Nuk ka rëndësi si luan. Por në momentin që nuk merr pikët, mos të flasim për entuziazëm apo dëshirë.
Meritonim diçka më shumë sot. Ne ekipin e ndërtojmë në bazë të kundërshtarit. Në momentin që sulmuesi i sapoardhur duket se çfarë cilësisë ka pasi ka luajtur në nivele të larta, pothuajse i gjithë ekipi funksionoi ndryshe”, tha fillimisht Deliallisi.
Ato 25 minuta që u detyruat të ndryshonit lojën, ku rrezikuat shumë? Problemi i numrit 9?
“Normalisht vuajtëm sepse ne e dorëzonim topin shumë shpejtë. Ishim inaktiv në disa momente. Është e papranueshme që të jemi në shtëpi dhe kundërshtari të luajë më mirë se ne. Sulmuesi që ka ardhur tani (Komolafe) ka kualitet, pasi ka vetëm dy seanca stërvitore. Mund të dëmtohej apo të krijonte diçka tjetër, por jam shumë i kënaqur. Nuk jam dakord që ka qenë një ndeshje e dobët. Një pjesë e parë e dobët, ndërsa e dyta e dominuar nga ne.
Migone dhe Alba janë të pazëvendësueshëm në pozicionet e tyre. Maliqi po bën jashtëzakonisht shumë mirë dhe e mbajti mirë gjatë gjithë kohës mesfushorin e Vllaznisë. Unë doja që dy mbrojtësit e krahut të Vllaznisë të luanin me Zekën dhe Mihanën që të shtynin përpara.
Por Vllaznia zbritën poshtë me dy mesfushorët e qendrës dhe ne aty e patëm problemin pasi nuk lexuam situatën. Ja them djemve që jemi një ekip i pjekur, nuk jemi moshë e re. Prandaj vuajtëm, nuk morëm informacionin e duhur se si kundërshtari po ndërtonte lojën në fazën sulmuese.”